Gjoka: I kam kërkuar lojtarëve të fitojnë, Gjici egoist se do gjithçka

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Debrecenin, ka deklaruar se e sheh skuadrën e tij në gjendje të fitojë sfidën ndaj hungarezëve. Më saktësisht, ai bëri të qartë se ua kishte kërkuar një gjë të tillë lojtarëve qoftë edhe për moral, për të treguar se sa mundësi kishte ky ekip, ndërsa më pas nuk mungoi edhe një mesazh drejt presidentit Gjici.

“Nëse kualifikohemi është për të mirën jo vetëm të Kukësit por për të gjithë futbollin shqiptar, i japim një hov më shumë e tregojmë që po rritemi më shumë në futboll. Por sigurisht që nuk është kaq e lehtë se jemi përballë një kundërshtari si Debreceni. Ne provuam atje që t’i luanim përballë, që të shihnim atë që donim në sulm, nuk patëm as fatin me vete. Por tashmë që duhet të pranojmë që jemi para rezultatit 3-0, duhet të bëjmë një sakrificë shumë të madhe, duhet të vrapojmë shumë, të sakrifikojmë shumë, do të duhet të kemi edhe pak fat për të gjetur golin.

Lojtarët janë shumë me moral, të paktën për atë performancë që bëri ekipi dhe më vjen mirë se kemi zhvilluar një ndeshje ndër të paktat e ekipeve shqiptare në Europë që kishte gjatë gjithë kohës futboll dhe prodhoi shumë raste. Kjo është ajo që më vjen keq, por përveç kësaj, futbolli është i pamëshirshëm, duhet të shënosh, nëse nuk shënon pastaj mund të goditesh siç u goditëm ne . Ndeshjen e kemi studiuar përsëri, si gabimet tona, ashte edhe lojën e kundërshtarit dhe mendoj se duhet të jemi shumë agresivë por edhe shumë të kujdesshëm. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse  sigurisht dëshira është shumë e madhe që të shënojmë gola e arrijmë atë që kemi plan, por të jemi të ndërgjegjshëm që kundërshtari është shumë i mirë dhe ka cilësi brenda.

Të gjithë e dimë kush është Valdet Rama, një lojtar sulmues, që di të kapi thellësinë, di të krijojë lojë, di t’i japë optimizëm skuadrës. Padiskutim që ne i ndryshuam edhe rolin, e bëmë sulmues atje. Shpresojmë që këtë radhë të ketë edhe fatin para portës, të na japë atë që kërkojmë nga Valdeti, oksigjenin e duhur, Valdeti është pjesë e fortë jo vetëm e sulmit të Kukësit, por e futbollit shqiptar, është fat që e kemi në skuadër.

Nuk kemi çfarë të kufizohemi me, jemi gjithçka për gjithçka. Por një nga gjërat që i kam kërkuar skuadrës është që duhet të fitojmë, edhe për moral, edhe për meritë. Për të treguar e vlerësuar atë ndeshje që bëmë atje, ndaj ne do ta fillojmë ndeshjen që ta fitojmë. Por sigurisht kjo nuk do të thotë të harrojmë mbrapa, do të bëjmë gjithçka gradualisht. E shoh te lojtarët që duan të bëjnë maksimumin nesër.

Një nga egot e mia personale është të shkoj në grupe të Ligës së Europës, siç kanë shkuar dy kolegët e mi të nderuar gjatë  këtyre viteve. Kam kërkuar vazhdimisht por nuk po e arrijmë, mungesë fati apo nuk e di pse. Edhe te Flamurtari, edhe me Sherif nuk patëm fat, na pengoi penalltia e shtylla. Edhe këtë vit, na ra ekipi më i vështirë. U munduam të merrnim maksimumin, nuk ia dolëm në ndeshjen e parë, uroj të na mblidhet nesër fati i të gjithë këtyre viteve.

Nuk jam në presion për kualifikimin, flas në emër të skuadrës. Duhet ta dini që Kukësi ndërtohet gjtihmonë për të ecur para. Gjici është egoist dhe kërkon që të arrijë gjithçka, por jo gjithmonë çfarë kërkon mund të bëhet. Them se nuk jam në presion për të vetmen arsye se në futboll nëse bëhen gjërat me presion, më shpejt prishen se ndërtohen. Sigurisht që presidenti kërkon gjithmonë të ecë sa më shumë, por un mundohem të mbaj ekuilibrin. Asnjëherë sot nuk bëhen gjërat o ta bëjmë, o ta bëjmë, duhet të jenë shkallë-shkallë”, tha Gjoka. /vipsport.al/