FOTO/ Tifozët e Shkëndijës akuzojnë pas eliminimit: E shitur! Duhani dhe koeficienti 17 dëmtojnë shëndetin

Shkëndija e Tetovës zhgënjeu jo pak në Shkup, duke u mundur me rezultatin 1-2 nga Nome Kalju, humbje kjo që e largoi nga Liga e Kampionëve në turin e parë eliminator. Kjo humbje, ka vështirësuar tashmë jo pak rrugëtimin e Shkëndijës për në Ligën e Europës duke qenë se i pret një rrugë e gjatë dhe pritet të ketë kundërshtarë të vështirë edhe në Europa League.

Sakaq, humbja ka irrituar edhe tifozët kuqezi të Shkëndijës, të cilët nuk kanë mundur ta përtypin këtë humbje, ku ndeshja e parë në transfertë ishte fituar 0-1. Në rrjetet sociale, të shumta kanë qenë komentet e tifozëve të cilët kanë akuzuar klubin për shitje të ndeshjes, ndërkohë që ka edhe prej atyre që marrin si shembull edhe Skënderbeun duke iu kujtuar dënimin.

Përveç komenteve ku akuzojnë për shitje, nënvlerësimi i kundërshtarit ka qenë një tjetër arsye për të cilën, tifozët janë të bindur se erdhi edhe eliminimi duke i kërkuar llogari klubit. I kritikuar ashpër ka qenë edhe trajneri Qatip Osmani dhe të shumtë janë ata, të cilët kërkojnë largimin e tij. /VipSport.al/