FOTO / E kishte premtuar një muaj më parë, Reja merr edhe ndihmësit për Partizanin

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, është i pranishëm sot në stadium për të ndjekur ndeshjen mes Partizanit dhe Karabak, e vlefshme për turin e parë të Ligës së Kampioneve. Tekniku e kishte premtuar që një muaj më parë se do të ishte i pranishëm në stadium për këtë sfidë, pasi dëshironte të shihte në veprim të kuqtë.

Tekniku ishte i shoqëruar thuajse nga i gjithë stafi i tij i bashkëpunëtorëve të ngushtë, pasi nuk mungonin as Ervin Bulku me Hamdi Salihin, e as përgatitësi atletik, Luixhi Febrari, i cili dëshironte të shihte gjendjen fizike të disa lojtarëve të cilët mund të jenë alternativa për përfaqësuesen për ndeshjet e shtatorit, emra si Hoxha, Telushi, Trashi, Mala e Asani.

Ndërkohë, nesër trajneri do të jetë i pranishëm bashkë me stafin e tij në Laç, për të parë në veprim edhe kurbinasit, ndërsa pritet të qëndrojë edhe javën e ardhshme për të bërë të njëjtën gjë me skuadrat e Kukësit e Teutës, duke vepruar ndryshe nga Panuçi i cili monitorimin e klubeve shqiptare ia linte vetëm Ervin Bulkut. /vipsport.al/