Flet njeriu pas dënimit të Skënderbeut, drejtori i “Sportradar”: Shkruaj raporte për të që nga viti 2010

Emri i tij nuk del në asnjë nga raportimet e inspektorëve të UEFA-s për trukimet e Skënderbeut, por Tom Mejs, është një nga emrat kyç të dënimit të finalizuar nga KAS i Lozanës për përjashtimin 10-vjeçar të klubit korçar. Britaniku është drejtori operativ i kompanisë “Sportradar”, ajo që furnizon UEFA-n me raportet e famshme mbi luhatjet e basteve të cilat çuan në dënimin e korçarëve dhe personalisht ka qenë ndër të parët që ka hasur emrin e këtij klubi në ndeshjet që sinjalizoheshin nga sistemi, duke i monitoruar e raportuar në vazhdimësi gjatë viteve.

Mejs ka qenë një analizuesh të dhënash në fillimet e tij te “Sportradar”, të cilit iu bashkua në vitin 2010, duke u kthyer pastaj në mbikëqyrës, menaxher për zonën e Europës e së fundmi drejtor i përgjithshëm operativ për kompaninë e cila tashmë ka pushtuar tregun botëror për statistikat sportive që ofron në tregje nga më të ndryshmet, përtej kontratave që ka për monitorimin e basteve.

Në një shkrim të tre ditëve më parë nga revista prestigjioze “Wired”, vetë Mejs ka shpjeguar se si funksionon tregu i basteve dhe manipulimet në nivelet më të larta,. Ai ka ilustruar rastet më të bujshme dhe ka treguar për këtë revistë britanike edhe lidhjen e tij me klubin e Skënderbeut.

Në vijim, lexoni të plotë ekstraktin e kësaj reviste sa i përket klubit të Skënderbeut dhe hetimit të “Sportradar” për të…

“Ndërkohë, shërbimi i integritetit i “Sportradar”, ka punuar me vëmendje për të monitoruar aktivitetet e trukimeve të klubit të futbollit shqiptar Skënderbeu, një skuadër e cila kualifikohet rregullisht në kompeticionet e UEFA-s. “Unë fillova të shkruaja raporte rreth Skënderbeut kur mbërrita te “Sportradar” në vitin 2010”, thotë Mejs. “Vazhdojnë ende. Ata janë një organizatë që duhet marrë me seriozitet, me njohuri të thella mbi tregjet e basteve dhe si të maksimizojnë fitimin”.

Përveç manipulimit të ndeshjeve duke kontrolluar me sa gola humbin ndeshjet, Skënderbeu shpesh do të manipulonte 15 minutat e fundit të ndeshjes, duke pësuar me bastet kundër të minutave të fundit në mënyrë që të përfitonin nga bastet, por edhe të fitonin ndeshjen. Mejs kujton një kualifikuese të Ligës së Kampioneve në vitin 2015 ndaj Kruzejdërs, kampionët e Irlandës së Veriut. Në minutat e fundit të ndeshjes, Skënderbeu ishte qetësisht në avantazh kur papritur, shqiptarët lejuan një kundërshtar të kalonte mbrojtjen dhe të shënonte një gol të lehtë. Megjithatë, gjyqtari e sinjalizoi në pozicion jashtë loje. Pak minuta më vonë, situata u përsërit. Në përpjekjen e tretë, Kruzejdërs më në fund shënuan një gol të rregullt. Ta shihje ishte njëlloj sikur të ndiqje një skuadër futbolli profesionist e cila nga momenti në moment humbiste të gjithë aftësinë për të luajtur.

Skënderbeu figuron në 53 raporte të BFDS mes nëntorit 2010 dhe prillit 2016, dhe UEFA në fund përjashtoi Skënderbeun në sezonin 2016-17. Në vitin 2018, me ndihmën e skuadrës së integritetit, UEFA vendosi për një dënim më të gjatë prej 10 vitesh. Hetimi i ri pa mijëra tifozë të mblidhen në rrugët e Korçës, në Shqipëri, për të protestuar pafajësinë e klubit. Dënimi u dha në mars 2018, bashkë me një gjobë prej 1 milion eurosh. Korrupsioni te Skënderbeu mendohej se ishte shtrirë në çdo nivel të klubit, nga lojtarët te trajnerët dhe drejtuesit, me presidentin Ardjan Takaj që akuzohej se drejtonte operacionin. Raporti i UEFA-s arrinte në përfundimin se Skënderbeu “ka manipuluar ndeshje siç nuk ka bërë askush më parë në historinë e kësaj loje” dhe aludon se klubi “praktikisht operonte si një mjet për krimin e organizuar”.

Skuadra aktualisht po apelon vendimin. Ndërkohë, disa hetues të UEFA-s morën kërcënime me vdekje gjatë hetimit të tyre në vitin 2018. Pavarësisht kësaj, puna duhet të vazhdojë. “Ne jemi këtu për një arsye”, thotë Mejs. “Jo vetëm sepse partnerët tanë duan të kenë një imazh të mirë publik rreth integritetit të tyre. Ne jemi këtu të hapim çështje dhe të dënojmë njerëz. Kjo nuk do të ndryshojë”.  /vipsport.al/