Flet “magjistari i portierëve”: Strakosha është prototipi perfekt, ka vetëm dy gjëra për të korrigjuar

Adalberto Grixhoni, përgatitësi i portierëve të Lacios, i cili ka marrë nofkën “magjistari i portierëve” pasi vlerësohet ndër më të mirët në botë, i ka thurur sot përsëri elozhe Thomas Strakoshës.

Ai ka insistuar që në ditët e para te Lacio se kishin në dorë një talent dhe ka qenë personi që i ka mësuar shumë gjëra gardianit shqiptar duke e kthyer brenda pak vitesh në një nga më të fortët në Serinë A. Por Grixhioni insiston se për Strakoshën, ka ende mundësi të mëdha përmirësimi dhe parashikon se do të ketë një karrierë të shkëlqyer para.

“Strakosha përmirësohet ditë pas dite. Fizikisht, ai është prototipi perfekt i një portieri. I duhet thjesht të jetë më shumë padron i zonës së rreptësisë dhe të marrë pjesë më shumë në lojë. Ai mund të bëjë një karrierë të rëndësishme pasi është gjithmonë i vëmendshëm dhe shumë i gatshëm të mësoje”, tha përgatitësi italian i portierëve për shqiptarin.

Strakosha i është bashkuar pak ditë më parë në stërvitje Lacios pasi ka lënë pas dëmtimin e tij në tendinë por nuk është ende në formën optimale ndaj në ndeshjen e sotme miqësore të Lacios ndaj Triestinës, nuk ka qenë në dispozicion të trajnerit Inzagi. /vipsport.al/