Flet legjenda Vaso: Skandaloze, pozitive që një figurë e kalibrit të Takajt të qëndrojë te Skënderbeu

Konfirmimi i dënimit të Skënderbeut në arenën ndërkombëtare ka tronditur të gjithë qytetin e Korçës, por sidomos personat që kanë qenë për shumë vite pjesë e klubit korçar dhe kanë jetuar disa nga periudhat më të arta të tij. Legjenda Teodor Vaso, një nga emrat e parë që ka dalë edhe në shesh për të protestuar kundër vendimit të UEFA-s një vit më parë, e cilësoi skandaloz këtë vendim të marrë kundër ekipit me të cilin u bë një emër i njohur në futbollin tonë.

“Vendim skandaloz i cili dënon rëndë jo vetëm futbollin e një klubi djep i futbollit siç është Skënderbeu i Korçës, pro dëmton edhe vete politikën sportive të UEFA-s e cila në politikën e vet stimulon dhe duhet të stimulojë që skuadra të vogla të bëjnë një futboll të madh”, tha Vaso për RTSH pasi u mësua vendimi i rëndë i dalë nga zyrat e KAS.

Tashmë që e ardhmja e klubit vihet në dyshim, për Vason është pozitive që të paktën parimisht, presidenti Takaj duket se ka prirje për të qëndruar në drejtimin e Skënderbeut. “Presidenti Takaj ka qenë një nga punëtoret kryesorë të rëndësishëm në ndihmesën dhe konfirmimin e Skënderbeut në nivele të larta. Perspektiva varet nga ai, por është pozitive që figura të këtij kalibri të qëndrojnë pjesë të klubit”:, ishin fjalët e Vasos. /vipsport.al/