Fitore 6-1, Grezda kthehet në fushë me fanellën e Rejnxhërs… mes të padëshiruarve

Eros Grezda është kthyer përsëri dje në fushën e lojës me fanellën e Rejnxhërs, por me siguri jo edhe për një kohë të gjatë. Mesfushori ofensiv i përfaqësueses shqiptare ka luajtur dje me fanellën e Rejnxhërs, ose më saktësisht të ekipit të dytë të Rejnxhërs ndaj Ajr Junajtid.

Ai ka luajtur mes futbollistëve të ekipit që përbëhet nga rezervate dhe të padëshiruarit nga klubi, ndërsa skuadra e parë luante në Ligën e Europës. Ekipi i tij fitoi me shifrat 6-1 dhe mediat skoceze raportojnë se Grezda ishte mes titullarëve dhe luajti rregullisht në këtë duel që u zhvillua me dyer të mbyllura.

Klubi i Rejnxhërs ka vendosur që si Grezda, ashtu edhe lojtarët e tjerë që po mundohet të largojë, të vazhdojnë të stërviten dhe u organizon miqësore të tilla për t’i mbajtur në formë. Në këtë mënyrë, kur Grezdën apo të tjerët  t’i kërkojnë klube të tjera, të jenë në gjendje të tregojnë vlerat e tyre dhe jo të kenë vështirësi qoftë edhe në testimet e para sezonale. /vipsport.al/