FIFA merr masa ndaj racizmit, 10 ndeshje pezullim për lojtarët që shfaqen fajtorë

Episodet raciste janë bërë shumë evidente në vitet e fundit në futboll. Duke filluar nga ato etnike, ato për shkak të ngjyrës së lëkurës e shumë forma të tjera, ato janë shfaqur në kampionate të rëndësishme europiane, ndërsa nuk kanë munguar edhe në veprimtari të FIFA-s dhe UEFA-s. Megjithatë, së fundmi FIFA ka marrë vendim për të ashpërsuar masat ndaj atyre që aplikojnë racizëm.

Kështu, sipas rregullave të reja të cilat do të fillojnë të aplikohen prej kësaj të hëne, lojtarët të cilët kryejnë vepra me karakter racist do të dënohen deri në 10 ndeshje pezullim. Ndërkohë, nëse tifozeria e një skuadre shfaq thirrje raciste atëherë, ajo skuadër do të humbasë ndeshjen në tavolinë. Në këtë masë do të përfshihen të gjithë diskriminimet si, ngjyra e lëkurës, ato me karakter etnik, gjeografik, ato seksuale, gjuhës, fesë, besimit, dhe politike.

Sakaq, që një ndeshje të fitohet në tavolinë prej racizmit, fillimisht duhet të kalojë në tre faza. E para, duhet të ketë një kërkesë publike për ndërprerjen për shkak të sjelljes diskriminuese, më pas ndeshja duhet pezulluar deri sa të kthehet në kontroll, e nëse nuk ndodh dhe përfundon ndeshja atëherë akordohet fitorja në tavolinë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/