Ferrari përsëri për turp, Hemilton falënderon dhe kërkon të kalojë Shumaher

Luis Hemilton ka siguruar “pole position” në Çmimin e Madh të Formula 1 në Gjermani, pasi ka përfituar nga gafat e radhës të skuadrës së Ferrarit e cila në këtë sezon nuk po bën asgjë siç duhet dhe ka penalizuar thuajse në çdo garë shanset e pilotëve të saj për suksesin.

Edhe pse Hemilton kishte vuajtur gjatë provave, ai arrit të merrte vendin e parë dhe tani është në garë për të siguruar fitoren e 5-të në këtë pistë, që do ta bënte atë më të suksesshëm se Mikael Shumaher i cili sigurisht është një legjendë në Gjermani.

Sebastian Fetel, i cili shihej si favorit për të siguruar suksesin në vendlindje, u mposht pa arritur të tregonte asgjë. Ai doli në pistë por u tërhoq që në kualifikueset e para pa dhënë kohë zyrtare për një problem me sistemin turbo dhe mekanikët nuk arritën ta rregullonin para se të përfundonin provat. Kësisoj, Fetel do të niset i fundit nga bokset dhe të paktën do të evitojë rrëmujën në pistë në nisjen e garës. 100 pikë pas Hemilton kryesues me 10 nga 21 garat e sezonit të përfunduara, praktikisht kanë mbyllur çdo diskutim të mundshëm rreth titullit kampion për gjermanin.

Edhe shoku i tij i skuadrës, Sharl Leklerk, u desh të dorëzohej përballë një problemi teknik. Francezi që dominoi provat e lira, nuk mori pjesë në kualifikuesen e tretë për shkak të defektit në sistemin e karburantit ndaj do të niset i 10-ti në garën e nesërme.

Maks Verstapen me Red Bull do të niset i dyti, ndërsa Valteri Botas me makinën tjetër Mercedes nga vendi i tretë, duke pasur përkrah Gasli po të Red Bull. /vipsport.al/