Federer këtë herë nuk gabon, hakmerret pas 11 vitesh ndaj Nadal

Finalja e këtij sezoni në Uimbëlldon do të diskutohet mes Roxher Federer dhe Novak Gjokoviç. Nëse të gjithë e prisnin serbin në finale pasi shorti e vendosi përballë Roberto Bautista-Agut, gjysmëfinalja tjetër ishte e gjitha për t’u shijuar, pasi vinte përballë Roxher Federer me Rafel Nadal, në një ndeshje që pritej prej 11 vitesh në turneun anglez.

Në vitin 2008, Nadal i rrëmbente asokohe kurorën Federer duke e mundur në finale, ndërsa sot zvicerani është hakmarrë për atë humbje, pasi nuk ishte takuar më me spanjollin si kundërshtar në fushën e tij të preferuar me bar. Sot, Federer ishte i pandalshëm, duke diktuar thuajse plotësisht ritmin e tij që nga seti i parë të cilin e fitoi 7-6.

Në setin e dytë, Nadal fitoi 6-1 dhe të gjithë menduan se fati i sfidës ndryshoi. Por më pas ishte përsëri Federer ai që mori në kontroll të plotë lojën dhe triumfoi në dy setet pasardhëse me shifrat 6-3 dhe 6-4, duke mbyllur ndeshjen 3-1 për të siguruar një tjetër finale.

Përballë ka Gjokoviç, një rival shumë i fortë në këtë turne për zviceranin pasi e ka mundur 2 herë në finale, në vitet 2014 dhe 2015, duke qenë ndoshta rivali më i fortë me të cilin zvicerani është përballur në fushën me bar të Uimbëlldonit. Federer ka fituar 8 herë këtë turne, ndërsa Gjokoviç 4 herë. /vipsport.al/