Europa League/ Feronikeli dhe Shkëndija me mision përmbysje, ekipet shqiptare besojnë te kualifikimi

Ditën e sotme në përballjet e turit të dytë të Ligës së Europës, do të zbresin në fushë dy ekipet shqiptare të Feronikelit dhe Shkëndijës. Të dyja skuadrat kanë sfida jo pak të vështira, teksa duhet të përmbysin disfatat në ndeshjen e parë.

Kështu, kampionët e Kosovës, Feronikeli, do të presë në orën 18:00 Sllovan Bratisllavën. Në ndeshjen e parë, Feronikeli u detyrua të dorëzohej teksa u mposht me rezultatin 2-1, mirëpo goli në fushën kundërshtare peshon shumë dhe besimi në kampin e kosovarëve është i madh. Aq më tepër duke parë edhe motivimin, kjo pasi në sfidën e kaluar nuk munguan thirrjet me karakter racist dhe gjeografik ndaj Kosovës. Në këtë formë, ambienti është i karikuar për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje.

Pak më ndryshe qëndron situata për Shkëndijën. Tetovarët u mposhtën në shtëpi në ndeshjen e parë me rezultatin 1-2 nga skuadra e Dudelanzh dhe kanë një mision më të vështirë. Megjithatë, kampionët e Maqedonisë së Veriut do të kërkojnë përmbysjen në transfertën e Luksemburgut, ndërsa entuziazmi është i madh me shpresën se kuqezinjtë do të marrin kualifikimin e dëshiruar. Ndeshja e Shkëndijës do të nisë në orën 17:55.