Edhe Reja me të njëjtin avaz si Panuçi, Shqipërinë ia ka lënë Ervin Bulkut

Në ndeshjen mes Partizanit dhe Sherif Tiraspolit, e cila ishte e vlefshme për turin e dytë eliminator Ligës së Europës, në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ ishte i pranishëm edhe Ervin Bulku, i cili është pjesë e stafit të trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Edi Rejas. Bulku është në ndjekje të elementëve për kuqezinjtë, ndërsa disa lojtarë të Partizanit janë në radarët e Kombëtares.

Një ftesë për në Kombëtare pret Jasir Asani, pas një sezoni fantastik me të kuqtë, megjithatë sulmuesi ishte i pafat teksa në ndeshjen e sotme, trajneri italian Lerda, nuk e kishte hedhur në fushë nga minuta e parë, duke e aktivizuar në pjesën e dytë. Ndërkohë, edhe një element tjetër i Kombëtares, si Lorenc Trashi, nuk e nisi nga fillimi lojën, por ndryshe nga Asani, mbrojtësi nuk zbriti për asnjë minutë në fushë.

Megjithatë, Bulkut nuk i ka shkuar dëm rruga, pasi në vëmendje do të ketë qenë mesfushori Esat Mala, i cili është pjesë e shpresave. Sakaq, nga krahu tjetër, me skuadrën e Sherif Tiraspolit u aktivizua Liridon Latifi. Ish-sulmuesi i Skënderbeut, ka qenë më parë pjesë e Kombëtares, ndërsa tashmë kërkon të rifitojë vendin falë paraqitjeve me ekipin moldav.

/Egi Çabeli-VipSport.al/