E kërkon edhe Milani, talenti shqiptar ftohet për dy miqësoret me Rumaninë

Gilberto Gega është një emër i cili po përmendet gjithnjë e më shumë në futbollin grek. Mbrojtësi 17-vjeçar, i cili luan në krahun e majtë apo në qendër të prapavijës, ka dhuruar paraqitje shumë të mira me U19 të AEK-ut dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve të njohura në Europë.

Një vit më parë ai ishte në provë te Milani që vazhdon ta monitorojë, ndërsa pak muaj më parë, Olimpik Lion ishte interesuar për djaloshin shqiptar. Më në fund, edhe FSHF është kujtuar për lojtarin, duke e grumbulluar me përfaqësueset e moshave.

Gega është grumbulluar për dy miqësore me 13 dhe 15 gusht që përfaqësuesja shqiptare U18 do të zhvillojë kundër bashkëmoshatarëve të Rumanisë. Ai do të jetë pjesë e listës, ndërsa do të monitorohet edhe nga stafi i U19 për të parë nëse mund të bëhet pjesë e këtij ekipi për eliminatoret e Europianit të kësaj grupmoshe. /vipsport.al/