E bujshme nga Italia, Milani kërkon të bëjë realitet ëndrrën e Interit për “Topin e Artë”

Luka Modriç protagonist në derbin e Milanos ka qenë një nga ëndrrat më të bukura të verës se kaluar për tifozët e Interit. Një ëndërr e cila mund të bëhet realitet nga… Milani.

Lajmi i bujshëm vjen nga “Sky Sport” në Itali ku është mësuar se ka diçka konkrete mes kuqezinjve dhe fituesit në fuqi të “Topit të Artë” i cili refuzoi transferimin në verën e kaluar drejt Serisë A, por sheh situatën me një sy tjetër pas vitit të dështuar te Reali.

Sipas këtij burimi, drejtuesit kuqezinj sot janë takuar për këtë çështje me menaxherin kroat Vlado Lemiç, për të pyetur me saktësi nëse Modriç është gati që të ndryshojë ambient dhe për të bërë të qartë se do t’i kishte dyert e hapura të kuqezinjtë ku Boban e njeh shumë mirë dhe beson se do të ishte personi i duhur për rolin e liderit për të rinjtë që po afrohen në klub.

Në ndihmë të Milanit vjen fakti se te Reali nuk shohin më me sy të mirë rrogën prej 12 milionë eurosh që përfiton kroati, i cili në moshën 34 vjeçare ka humbur pak nga shkëlqimi i tij. Megjithatë, kjo rrogë bëhet një pengesë e madhe gjithashtu, pasi për momentin klubi kuqezi nuk ka luksin të paguajë shifra të tilla, edhe nëse bëhet fjalë për të vetmin person që theu hegjemoninë e Mesit dhe Kristiano Ronaldos për “Topin e Artë”. /vipsport.al/