Do vinte bast për transferimin, gjobë dhe pezullim për sulmuesin e Liverpulit

Daniel Starrixh, sulmuesi anglez i cili ka luajtur në vite te fundit me Liverpulin, është dënuar nga Federata Angleze e Futbollit pasi ka dhënë informata konfidenciale për një transferim të mundshëm të tij, informacion që do të shfrytëzohej për të vënë baste rreth një mundësie të tillë.

Pas një hetimi disamujor, është arritur në konkluzionin se informatat që ai i ka dhënë vëllait të tij për diskutimet që po kryheshin për transferimin, do t’i jepnin mundësinë këtij të fundit të fitonte qindra mijëra paund. Kjo është arsyeja pse ai është gjobitur nga Federata Angleze me 75 mijë paund dhe një pezullim deri më datë 31 korrik nga të gjitha aktivitetet futbollistike.

Lojtari, të cilit i mbaroi kontrata me Liverpulin, është në kërkim të një skuadre të re për të vazhduar karrierën e tij dhe po zhvillon negociata me disa të ndryshme, por deri më 31 korrik nuk mund të luajë me asnjë prej tyre për shkak të këtij dënimi.

Sipas informacioneve të siguruara nga Federata Angleze, në janarin e vitit 2018, Starrixh kishte udhëzuar vëllain e tij që të vinte bast për një transferim të tijin në huazim te skuadra e Seviljes, meqë dy klubet sapo kishin filluar bisedimet të cilat më pas nuk u finalizuan. Ai kishte tentuar ta bënte një gjë të tillë edhe më parë, kur kishte diskutime për transferimin e tij te Interi. /vipsport.al/