Dibala zbulon marrëdhënien me ish-trajnerin e Argjentinës: As nuk përshëndeteshim

Paulo Dibala ka kaluar një vit me shumë ulje e ngritje teksa argjentinasi nuk arriti shpërthimin që pritej këtë sezon te Juventusi përkrah Ronaldos. Kjo i kushtoi shumë edhe në Kombëtare, ku sulmuesi humbi shanset për të qenë pjesë e formacionit titullar.

Megjithatë, tashmë me trajnerin e ri të Kombëtares duken se gjërat janë më ndryshe nga e kaluara, ku me trajnerin Sampaoli nuk fliste. Futbollisti rrëfehet se përgjatë Botërorit në Rusi, as nuk përshëndetej me ish-teknikun. “ Me Sampaolin kam folur kur erdhi në Torino para Botërorit, por në Rusi nuk ka pasur asnjë komunikim mes meje dhe atij. Nuk ka ardhur asnjëherë për të më folur, nuk më ka thënë asgjë. Është e çuditshme se si një trajner as nuk e përshëndet lojtarin, as për ta pyetur si është.

Nuk ka qenë e thjeshtë as për atë. Por, kishim një distancë. Kam menduar se mund të ketë pasur hatërmbetje nga ndonjë nga deklaratat e mia të mëparshme. Por, gjithçka përfundoi si nisi dhe u ktheva në shtëpi”, tha Dibala.  Sa i përket trajnerit të ri Skaloni, sulmuesi i Juventusit shpjegon se e dinte se do të luante si numër 9 në kompeticioni dhe kështu ndodhi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/