Dermaku: Seria A ishte ëndrra ime, kur e nis si unë duhet të tregosh veten çdo vit

Kastriot Dermaku më në fund do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në Serinë A, një ëndërr që ka ndjekur me ngulm gjatë gjithë karrierës së tij. Por për një arsye apo tjetrën nuk e ka bërë dot realitet. Mbrojtësi tashmë është bërë pjesë e Parmës dhe shpreson që te kjo skuadër e njohur e futbollit italian, të tregojë se nuk është bërë rastësisht pjesë e saj.

“Kam ardhur këtu me shumë entuziazëm për të treguar se bëj pjesë në këtë kategori e se dua të qëndroj këtu. Sigurisht, aspekti fizik është një nga pikat e forta të mia. Kam shumë për të mësuar, këtu ka lojtarë më të mëdhenj se unë. Vij me shumë përulësi, i gatshëm për të mësuar të gjitha sekretet e Serisë A. A më kërkonin ekipe të tjera? Kishte disa kontakte, por pastaj sapo mësova për Parmën e mendova menjëherë si ishte për mua zgjidhja më e mirë. Në futbollin e sotëm duhet të rifillosh gjithçka nga zero në çdo sezon, e rëndësishme është të kesh një grup të qëndrueshëm dhe një mentalitet gjithmonë pozitiv, duke punuar gjithmonë në maksimum. Rezultatet janë rrjedhojë e kësaj dhe do të mbërrijnë”, tha lojtari i cli pret me padurim të shohë veten në elitën e futbollit italian.

“Ende nuk kam arritur të provoj Serinë A, por padyshim që po punojmë mirë, ritmet janë më të larta dhe teknika gjithashtu. Të shohim pastaj në fushë se si do të shkojnë gjërat. Jam ndjerë mirë te Kozenca, e dinë të gjithë. Por Seria A ishte ëndrra ime dhe mendoj se e të gjithë futbollistëve, të ndeshesh në këtë kategori është gjëja më e bukur. Ishte zgjedhje e vështirë, pasi atje jam ndjerë mirë.

Unë kam luajtur te Modena në Serinë B, te Sasuolo në Serinë B, pastaj te kampionatet e moshave që është diçka krejt ndryshe. Kanë qenë të gjitha eksperienca të rëndësishme në nivel rritjeje. Edhe ato vite në Lega Pro kanë qenë të rëndësishme, marr me vete prej tyre një etikë punë serioze. Aty nisesh në disavantazh dhe duhet të tregosh gjithmonë vlerat e tua, kjo është diçka e rëndësishme që do të mbaj me vete gjatë gjithë karrierës. Tani jam i lumtur që jam këtu, Parma është për mua zgjidhja më e mirë dhe jam shumë i lumtur”, vijoi mbrojtësi i cili më pas tregoi shembullin nga i cili kërkonte të mësonte më shumë.

“Bruno Alvesh është një profesionist i madh. Ka luajtur Botërorë, Europianë dhe Ligën e Kampioneve. Ai është një pikë referimi, por jam i bindur se edhe të gjithë të tjerët do të më japin një ndihmë që të ambientohem e përshtatem sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare. /vipsport.al/