Dënimi i Skënderbeut bën lëmsh edhe Superioren, klubet shqiptare me sytë nga FSHF

Futbolli shqiptar, sot ka marrë një goditje të madhe duke qenë se është njollosur jo pak nga dënimi që KAS-i la në fuqi për Skënderbeun. Klubi korçar nuk do të marrë pjesë në Kupat e Europës për 10 vite dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Skënderbeut i duhet të paguajë një gjobë të majme, që kap vlerën e 1 milionë eurove.

Këto dënime të dhëna për Skënderbeun, e vështirësojnë jo pak situatën në klubin korçar. Duke ditur që skuadra korçare nuk do të luajë në Kupat e Europës, edhe përfitimet financiare do të jenë të ulëta ndërkohë që problem mbeten tashmë financat e klubit.

Pak ditë më vonë, FSHF do të japë licencat për skuadrat e Kategorisë Superiore për sezonin e ardhshëm dhe është paralajmëruar se do të ketë përjashtime në rast se ka probleme me financat. Skënderbeu, duket skuadra më e rrezikuar në këto kushte pasi do të duhet të paguajë gjobën, ndërkohë që edhe futbollistët mund të kërkojnë largim nga skuadra. Në rast se Skënderbeu vendos të tërhiqet nga gara, atëherë FSHF-së i duhet të vendosë për skuadrën që e zëvendëson. /VipSport.al/