De Rosi niset për në Argjentinë, Maradona i uron mirëseardhjen

Daniele De Rosi e ka vendosur që të vazhdojë ende të jetë pjesë aktive e futbollit. Mesfushori u largua nga Roma, teksa drejtuesit nuk i rinovuan kontratën, pavarësisht se ishte kapiteni i skuadrës dhe një nga idhujt e tifozerisë.

Megjithatë, tashmë De Rosi pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet te Boka Xhuniors. Ekipi argjentinas i ka hapur dyert mesfushorit, ndërsa legjenda Maradona i ka uruar mirëseardhjen italianit. Maradona ka luajtur për Bokën në vitet 1981-1982 dhe 1995-1997. “ Nuk të njoh personalisht, por të jesh i sigurt se mund të jesh i qetë. I qetë me mua dhe Bokën.

Do të shihemi së shpejti. Për ne të veshësh fanellën e Bokës, është si San Xhenaro që rrjedh në gjakun tënd. Të dërgoj një puthje dhe përshëndetje familjes tënde”, ishte mesazhi i Diego Armando Maradonës, për mesfushorin De Rosi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/