De Ligt prezantohet te Juventus: Ftesa e Ronaldo ishte nder, një nga arsyet pse jam këtu është Sarri

Ditën e sotme nëpërmjet një konference për shtyp, Juventusi ka prezantuar transferimin më të fundit të merkatos, Matajs De Ligt. Mbrojtësi holandez është shprehur se me Juventusin ka pasur gjithnjë një ‘feeling’, ndërsa shtoi se ftesa e Ronaldos për t’u bashkuar te Juventusi ishte një nder për të, por nuk i zgjodhi bardhezinjtë vetëm prej CR7. De Ligt shprehet se trajneri Sarri ishte një nga motivet kryesore për t’u transferuar në Torino. “ Jam ende i ri, por mendoj se jam maturuar gjatë 3 viteve me ekipin e parë të Ajaksit. Dua të mësoj shumë nga shokët e rinj të skuadrës. Kam shumë për të përmirësuar.

Dua të punoj çdo ditë dhe të tregoj se besimi i shoqërisë ia ka vlejtur. Presioni është normal. Kur një klub shpenzon shumë për ty, atëherë është normale të ketë, por duhet të jesh i aftë ta menaxhosh. Për të ardhur te Juventusi, ishte një vendim i marrë prej kohësh. Italia është e famshme për traditën e mbrojtësve, nëse flet për futbollistë italianë mendja të shkon te mbrojtësit. Pastaj, Juventusi e tregoi se beson te mua. Kur isha 7 vjeç, e kisha fanellën e Juventusit sepse admiroja Kanavaron. Kam pasur gjithnjë një ndjesi të mirë për Juventusin, kam qenë tifoz i saj kur kam qenë i vogël.

Unë e kisha krijuar një ide se ku do të luaja kur Ronaldo më ftoi te Juventusi, ishte një nder i madh, por nuk ishte vetëm ajo që bëri diferencën. Kam folur në telefon me Sarrin për ta njohur. Ai është një nga motivet pse jam te Juventusi, kam dëgjuar të flitet mirë për të në të gjitha aspektet taktike të mbrojtjes,prezenca e tij ishte një motiv më shumë për të zgjedhur Juventusin”, tha De Ligt.

/Egi Çabeli-VipSport.al/