De Ligt mbërrin për vizitat mjekësore, Raiola ekzalton mbrojtësin: Ka mentalitetin e Nedved

Mbrojtësi Matijs De Ligt mund të quhet tashmë zyrtarisht një futbollist i Juventusit. Bardhezinjtë fituan duelin me klubet e tjera europiane si Barcelona dhe PSG që kërkonin shërbimet e 19-vjeçarit, teksa në arkat e Ajaksit u depozituan 75 milionë euro. Kështu, mbrojtësi i talentuar përgatitet të nisë një etapë të re në karrierë, ndërsa ka firmosur me ‘Zonjën e Vjetër’ një kontratë pesëvjeçare, teksa së bashku me bonuset paga e tij sezonale prek shifrën e 12 milionë euro.

Ndryshe nga sa flitej për klauzolën prej 150 milionë euro, ajo do të aktivizohet vetëm pas dy sezonesh. Ndërkohë, një nga njerëzit e tij më të fort dhe që pati rol vendimtar në këtë transferim, ishte agjenti Mino Raiola. Menaxheri nuk ka nguruar t’i vejë në dukje cilësitë e lojtarit, teksa është shprehur se De Ligt ka mentalitetin e Nedved dhe personalitetin e Ibrahimoviç.

“ De Ligt ka të njëjtin personalitet si të Ibrës dhe mentalitetin e Nedved. Juventusi është klubi i duhur për idetë e tij. Është ideali për karrierën e tij, për një mbrojtës të aktivizohet në Itali është e rëndësishme. Është një etapë e rëndësishme në karrierën e tij, në mendjen e tij do që të shndërrohet në më të fortin. Përsa i përket të rinjve është numri një, duhet të punojë shumë. Do të ketë një marrëdhënie të mirë me Bonuçin dhe Kielinin”, tha Raiola.

/Egi Çabeli-VipSport.al/