De Jong: E prisja De Ligt te Barcelona, por Juventusi është një mundësi e madhe për të

Frenki De Jong dhe Matajs De Ligt ishin dy lojtarët të cilët morën për dore Ajaksin në rrugëtimin e shkëlqyer sezonin e kaluar në Champions League. Të dy shumë të talentuar por edhe me cilësitë e liderit, pavarësisht moshës së re. Në këtë formë, ato u shndërruan në objekt të merkatos, teksa De Jong kishte firmosur prej janarit me Barcelonën.

Ndërkohë, për De Ligt ishte një luftë e madhe mes shumë klubesh për shërbimet e tij, por në fund 19-vjeçari zgjodhi të transferohej te Juventusi. Të dy futbollistët, De Jong dhe De Ligt kanë një marrëdhënie të fortë edhe jashtë fushe, teksa shpresohej që të dy të ishin përsëri bashkë te Barcelona. Megjithatë, në fund rrugët e tyre u ndanë. Mesfushori, De Jong në një intervistë së fundmi, është shprehur se do ta kishte preferuar ta kishte në aventurën e tij mikun e tij De Ligt, megjithatë ai u shpreh se Matajs ka një mundësi të mirë te Juventusi.

“ Sigurisht do të më kishte pëlqyer të ishte me mua te Barça. Por, mendoj se edhe Juventusi është një mundësi e mirë për të. Ka biseduar me familjen, agjentin dhe njerëzit e rëndësishëm për të dhe në fund vendosi të luajë për Juventusin, edhe pse unë preferoja Barcelonën. Por, ka një mundësi të madhe te Juventusi”, tha De Jong.

/Egi Çabeli-VipSport.al/