Bylisi, rikthehet Peposhi bashkohet me skuadrën në stërvitje

Ballshiotët kanë zbritur në fushën e stërvitjes dhe kanë nisur javën e dytë të përgatitjeve, në kuadër të sezonit të ri që i gjen ata në Superiore. Bylisi ka bërë shumë lëvizje, ndërsa tashmë në Ballsh pritet që të ketë merkato, pasi duket se kontigjenti që ka mbetur nga sezoni i shkuar do të jetë në Ballsh edhe në Superiore.

Presidenca po synon që të afrojë lojtarë cilësorë për të plotësuar skuadrën në mënyrë që të prezantohet sa më denjësisht në kampionatin e ri që nis në 24 gusht.

Nga lojtarët e sezonit të shkuar vetëm për Ardit Peposhin ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet, nëse do të vijojë me Bylisin apo do të luajë diku tjetër, pasi ai nuk është parë në asnjë seancë stërvitore të javës së shkuar në Ballsh, ndërsa edhe kontrata i ka përfunduar në fund të sezonit të shkuar.

Peposhi ka qenë dje në Ballsh, dhe nga sa mësohet ai do të jetë kontigjent ekipi, aq më tepër që gëzon edhe respektin e drejtuesve, duke qenë se ka kontribuar për dy vite me Bylisin, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë, e madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Ardit Peposhi është një futbollist që ka eksperiencë në Superiore, pasi më parë ka luajtur me Bylisin, Tiranën, Teutën apo dhe Korabin e Kukësin.

E.S./Vipsport.al/