Bylisi, merkato, miqësore dhe testime, nis rruga e Superiores

Bylisi tashmë është në kulmin e fazës përgatitore. Ballshiotët kanë mbyllur ditën e katërt të përgatitjeve, madje ku kanë zhvilluar edhe një miqësore me Lushnjën e cila ka përfunduar 1-1 dhe më shumë ka vlejtur për të parë lojtarët e rinj, por edhe gjendjen e lojtarëve që vinin nga faza përgatitore.

Skuadra ballshiote ka pësuar ndryshime në këtë periudhë, madje disa nga futbollistët e sezonit të shkuar janë larguar. Duke filluar që nga Kullira, Shyti, Zefi, Lamçja e Kofi. Ndërkohë që janë konfirmuar Beji Antoni e Saliu Guindo nga titullarët e sezonit të shkuar duke firmosur edhe kontrata afatgjata.

Pa thënë se pjesa më e madhe e lojtarëve të sezonit të shkuar kanë qendruar në Ballsh pasi kanë kontrata afatgjata, ashtu si edhe deri më tani konfirmohen zyrtarisht Edison Ndreca, Donald Mëllugja apo dhe talenti i Kombëtares U-19, Eridon Qardaku që është edhe shënuesi më i mirë i moshave për U-19.

Testimet

Aktualisht janë në provë dy lojtarë, Ilias Kasapi si dhe Dhamo që vjen nga Çezena e Serisë D në Itali. Të dy lojtarët janë testuar në miqësoren me Lushnjë. Dhamo madje ka shënuar edhe gol por do të vijojë që të jetë në testim nga stafi, pasi në ditët e ardhshëm do të ketë edhe miqësore të tjera.

Përforcimet

Një portier, një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues. Katër lojtarë që do të bëjnë diferencën do të jenë goditjet e Bylisit në këtë merkato, pa harruare dhe elementët e rinj që janë vënë në shënjestër nga ballshiotët në vitet e fundit, qofshin të huaj, por edhe nga tregu vendas.

Faza përgatitore

Javën e ardhshme, drejtuesit do të ulen dhe të mendojnë për fazën përgatitore. Në fakt, në Ballsh duan që skuadra të jetë sa më e plotë, ndërsa do të studiohen edhe pistat për të shkuar të paktën 10 ditë jashtë Ballshit.

E.S./Vipsport.al/