Breshia harron Balotelin, tenton surprizën nga Juventusi

Skuadra e Breshias arriti këtë sezon të rikthehej në elitën e futbollit italian. Në ekipin ku aktivizohet edhe shqiptari Emanule Ndoj dhe së fundmi me stërvitjet e para të sezonit është bashkuar edhe sulmuesi Brijan Ibrahimi, i cili është pjesë e moshave U17 dhe U19 të Shqipërisë. Ndërkohë, klubi ka nisur të mendojë për merkaton teksa duhen përforcimi për të qenë ekip konkurrues në Serinë A.

Ëndrra e drejtuesve ishte Mario Baloteli. Sulmuesi u përfol se mund të kthehej në Itali me ngjyrat e Breshias, megjithatë paga e 28-vjeçarit ishte një problem thelbësor. Në këtë mënyrë, Baloteli është harruar dhe në fokus ka dalë një emër surprizë. Bëhet fjalë për sulmuesin e Juventusit Moise Kin. Talenti i datëlindjes 2000 sezonin e kaluar shfaqi potencialin, por sërish edhe këtë sezon do ta ketë të vështirë të fitojë shumë minuta me bardhezinjtë.

Kin është në merkato dhe Juventusit i pëlqen ta huazojë sulmuesin për t’u aktivizuar rregullisht dhe për të fituar sa më shumë eksperiencë. Megjithatë, për shërbimet e Kin, ka shumë konkurrencë pasi plot klube brenda dhe jashtë Italisë kanë në fokus 19-vjeçarin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/