Bonuçi: Me Sarrin punojmë shumë me topin, E ardhmja? Juventus është shtëpia ime

Leonardo Bonuçi ka folur së fundmi mbi lëvizjet e reja të Juventusit, teksa në grupin bardhezi tashmë pas pesë viteve me Alegrin, në stërvitje me ardhjen në krye të trajnerit Sarri po aplikohen ide të reja. Mbrojtësi, tregon se me Sarrin punohet shumë me topin, ndërsa i kanë bërë përshtypje idetë e teknikut.

Ndërkohë, 32-vjeçari flet edhe për të ardhmen, teksa pas transferimit të De Ligt, pozicionin i tij në skuadër u vendos në dyshim. “ Me Sarrin punojmë shumë me topin. Zakonisht në stërvitje ka shumë intensitet dhe bëjmë shumë pak pushim. Duhet gjithnjë të jemi gati për ushtrimin e radhës. Kjo na ndihmon të ruajmë përqendrimin. Te Sarri më kanë bërë përshtypje idetë e tij. Kur e sheh nga jashtë nuk e kupton, por kur je në brendësi kupton inteligjencën e një trajneri që ka sjellë ide të reja. Juventusi është shtëpia ime.

U ktheva pas një viti nga Milani pasi vetëm këtu e di sa mund të jap dhe ndjehem në vendin e duhur. Çdo vit duhet të përmirësohemi, por këtë vit të gjithë do përmirësohemi. Në nivelin personal dua të kthehem aty ku isha para dy sezoneve. T’i kthehem standardit tim”, tha Bonuçi. Ndërkohë, mbrojtësi u shpreh i lumtur për rikthimin e Bufon, ndërsa shtoi se De Ligt është mbrojtësi i ri më i fortë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/