“Bomba” nga KAS, Skënderbeu dhe futbollistët mbeten në ajër për të ardhmen

Skënderbeu ka marrë sot një goditje të rëndë, duke qenë se KAS-i vendosi të linte në fuqi dënimin që UEFA i ka dhënë duke e përjashtuar me 10 vite nga Kupat e Europës. Megjithëse besimi në kampin korçar ishte i madh se do të jepej një vendim pozitiv, kjo gjë nuk ndodhi dhe tashmë pritet vetëm të shihet se çfarë do të ndodhë me klubin.

Shumë futbollistë nuk kanë rinovuar ende kontratat e tyre dhe gjithçka varej nga vendimi që do të jepte KAS-i. Me këtë dënim të dhënë, futbollistët janë në pritje për të mësuar të ardhmen e tyre, ndërkohë që edhe stafi teknik i Skënderbeut, tashmë është me sytë nga presidenca, për të mësuar të ardhmen.

Në këtë merkato, Skënderbeu ka pasur vetëm largime dhe dukej se gjërat nuk po shkonin mirë pasi te korçarët nuk ka firmosur asnjë futbollist për këtë verë. Natyrisht, dëshira e lojtarëve është të luajnë në Europë, por mbetet vetëm të shihet ditët në vijim se çfarë do të ndodhë. /VipSport.al/