Blerjet më të bujshme nuk e bindin Lerdën, ndeshjen e parë e shohin nga tribuna

Partizani ka qenë një nga skuadrat më aktive në merkaton e verës dhe ka afruar disa futbollistë, ku shumë prej tyre kanë ardhur me jo pak bujë. Një prej tyre, është Aristoteles Romero i cili në të kaluarën ka luajtur me Krotonen në Serinë A italiane por edhe në Serinë B.

I konsideruar si “Vidal”, Romero do ta ndjekë ndeshjen e parë zyrtare të skuadrës së tij nga tribuna. Në stol do të jetë edhe Jozef Ekuban, i cili pak ditë më parë u shpreh se ka shumë ngjashmëri me vëllanë e tij, Kaleb Ekuban, por duket se në stërvitjet e para, nuk e ka bindur Lerdën.

Sakaq, portieri Aldo Teqja dhe Eneid Kodra janë dy futbollistë të tjerë, të cilët nuk i ka pasur në plane për këtë ndeshje trajneri italian, ndërkohë që edhe Bardhi nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një dëmtimi që ka pësuar pak javë më parë. Nga afrimet e reja, në stol janë ulur Broja, Solomon dhe Braun, ndërkohë që titullar e kanë nisur Kordeiro dhe Hakaj.

Titullarë nga afrimet e reja: Kordeiro, Hakaj

Në stol: Broja, Solomon, Braun, Ekuban

Në tribunë: Teqja, Romero, Bardhi, Kodra