Bare: Tani është periudha kur duhet të vuash, urojmë të jetë viti ynë

Keidi Bare brenda pak muajsh është kthyer në një nga figurat më përfaqësuese të skuadrës së Malagas. Mesfushori shqiptar ka fituar një vend si titullar para mbrojtjes në radhët e klubit në kategorinë e dytë spanjolle duke marrë vlerësime të shumta për faktin se cilësohet ndër më “punëtorët” në ekip dhe nuk është aspak rastësi që në rifillimin e stërvitjeve të skuadrës, ai është zgjedhur nga klubi për të folur para mediave.

“Unë duhet të vazhdoj të stërvitem mirë gjatë kësaj faze përgatitore, duke bërë gjërat siç duhen dhe pastaj është trajneri që do të vendosë nëse do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë si në vitin e kaluar. Më vjen keq që tani nuk jemi ngjitur në La Liga, por jam shumë i sigurt se e gjithë skuadra, stafi teknik dhe klubi do të bëjmë një sforco shumë të madhe për të qenë lart. Shpresojmë të jetë viti i ynë” tha lojtari.

Megjithatë, më parë duhet punuar shumë, sidomos në fazën përgatitore për sezoni e ri. “Nëse nuk punon në fazën përgatitore, nuk shkon në formë të mirë në ndeshje. Duhet që të vuash dhe të punosh shumë për të arritur mirë deri në finalen e çdo ndeshjeje. Ka ende shumë kohë deri në fillimin e sezonit, por edhe unë, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës, kemi shumë dëshirë që të nisë sa më shpejt edicioni. Megjithatë, më parë duhet të vuajmë këtu”, tha ai duke qeshur për fazën përgatitore të skuadrës së tij. /vipsport.al/