Barcelona vazhdon gjuetinë për zëvendësin e Albës, vëmendja nga mbrojtësi i Dortmundit

Barcelona është e fokusuar të gjejë një lojtar i cili të mund të zëvendësojë Xhordi Albën, disa ndeshje përgjatë sezonit. Katalanasit, në vitet e fundit nuk kanë arritur të kenë një alternativë tjetër në krah veç Albës, me këtë të fundit që harxhon shumë energji. Blaugranët patën kontakte me mbrojtësin e Betisit Firpo, por klubi nga Sevilja i kishte pretendimet e larta dhe të paktën për momentin, Barcelona e ka braktisur këtë pistë.

Ndërkohë, vëmendja ka shkuar te mbrojtësi i Dortmundit Guerreiro. Futbollisti portugez ende nuk ka rinovuar me klubin gjerman, teksa i skadon kontrata në vitin 2020. Një situatë pozitive, nga ku drejtuesit e Barcelonës mund të përfitojnë për ta shkëputur lojtarin me pak para, ndërsa edhe

Dortmundi nuk do të bënte rezistencë për të mos e humbur një vit më pas me parametër zero. Megjithatë, për momentin gjithçka është në kuadrin e sondazheve, teksa mbetet për t’u parë edhe gatishmëria e Gurreeiros për të lënë postin e titullarit dhe për t’u transferuar në një rezervë luksi te Barcelona.

/Egi Çabeli-VipSport.al/