Barcelona provoi befasinë për De Ligt, presidenti katalanas telefonoi agjentin e holandezit

Tashmë është një fakt dhe Matijs De Ligt pritet që në orët në vazhdim të zbarkojë në Torino, për të nisur aventurën me Juventusin. Bardhezinjtë ia dolën të fitonin një garë të ashpër ndaj disa klubeve të cilat gjithashtu dëshironin ta kishin mbrojtësin pjesë të skuadrës.

Një nga këto ishte edhe Barcelona. Katalanasit ishin të parët të cilët u afruan shumë me 19-vjeçarin, por marrëdhënia e keqe me menaxherin Mino Raiola, i distancoi palët. Megjithatë, duke lënë mënjanë konfliktet me Raiolën, blaugranët tentuan edhe një herë të fundit për De Ligt, pavarësisht se lojtari kishte gjetur akordin me Juventusin.

Presidenti i spanjollëve, Bartomeu, telefonoi Raiolën për t’i komunikuar se kërkon të bisedonin përsëri për holandezin, megjithatë agjenti i qartësoi se nëse të paktën nuk barazonin ofertën e italianëve, atëherë nuk do të kishte bisedime, ndërkohë që Raiola kërkonte edhe 11 milionë euro komision për vete. Në këtë mënyrë, presidenti u detyrua të tërhiqej dhe kështu, De Ligt do të jetë një futbollist i Juventusit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/