Bajerni prezanton mbrojtësin francez, Pavard trashëgon numrin e Humels

Bajerni i Mynihut ka prezantuar ditën e sotme mbrojtësin Benxhamin Pavard. Francezi, i cili u shpall edhe kampion i Botës me Kombëtaren e gjelave në Botërorin e Rusisë, vjen si një përforcim nga radhët e Shtutgart. 23-vjeçari, përgatitet në këtë formë të marrë nën patronazh korsinë e djathtë të mbrojtjes bavareze, ndërsa mund të adaptohet edhe në qendër.

Ndërkaq, ambientimi nuk pritet të shkaktojë telashe për mbrojtësin, kjo për arsyen se Pavard ishte pjesë e Shtutgartit prej tre vitesh dhe Bundesliga është një kampionat të cilit ia ka marrë dorën. Ndërkaq, Bajerni i Mynihut vazhdon me filozofinë për të firmosur me lojtarë të rinj dhe të talentuar, të cilët promovohen nga skuadrat e tjera të kampionatit.

Pavard gjatë aventurës me Bajernin, do të mbajë veshur fanellën me numër 5, të cilën më parë e kishte Humels, por kishte mbetur e lirë pas transferimit të këtij të fundit te Dortmundi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/