Bajern Mynihu nuk iu ndahet shqiptarëve dhe i bën tre, firmos një tjetër sulmues

Bajern Mynihu duket se po punon jo vetëm me ekipin e parë, por edhe me akademinë që ka marrë tashmë një prioritet nga klubi bavarez. Drejtuesit e klubit, kishin hyrë në bisedime me Shtutgartin për transferimin e sulmuesit shqiptar Leon Dajaku, i cili shihet si një nga sulmuesit më të mirë për moshën e tij.

18-vjeçari Dajaku, do të jetë zyrtarisht një futbollist i Bajern Mynihut duke qenë se është arritur akordi mes palëve dhe tashmë pritet vetëm prezantimi i tij. Dajaku bëhet në këtë mënyrë futbollisti i tretë shqiptar te Bajern Mynihu, duke qenë se edhe Marvin Çuni e Meritan Shabani, janë pjesë e të rinjve të Bajernit.

Deri më tani, Dajaku ka luajtur me të rinjtë e Gjermanisë, ku me U17 ka realizuar 3 gola në 14 ndeshje ndërkohë që me U18 ka arritur të shënojë një gol në 3 ndeshje të luajtura. Me siguri, kalimi te Bajerni do të bëjë që të nisë një luftë tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë për të siguruar shërbimet e tij. /Erjon Allaraj-VipSport.al/