Atletiko nuk bën ulje për Grizman, Barcelona duhet të paguajë edhe taksat

Barcelona dhe Grizman duan të bashkohen sa më shpejt, mirëpo pas lajmeve ditët e fundit se të dyja palët kanë pasur një marrëveshje prej muajit mars, Atletiko Madrid nuk bën lëshime në çmimin e francezit. Kështu, në muajin korrik, klauzola e Grizman u ul deri në 120 milionë euro, megjithatë katalanasit duke njohur dëshirën e sulmuesit, pretendonin të përfitonin një ulje nga madrilenët.

Mirëpo, tashmë duket se klubi bardhekuq nuk e lëshon 28-vjeçarin pa u paguar klauzola e plotë. Balugranët nuk kanë rrugë tjetër përveç se të përmbushin kërkesat financiare të Atletikos, ndërsa do t’iu duhet të paguajnë edhe taksën prej 25 milionë eurosh.

E thënë ndryshe, Grizman në total do t’i kushtojë kampionëve në fuqi të Spanjës, plot 145 milionë euro. Një tjetër shifër, e cila do të rëndojë në bilancet e Barcelonës pas transferimeve të Kutinjos dhe Dembele.