Asnjë dyshim, Lacio zyrtarizon blerjen e rekordmenit shqiptar të Serisë A

Vizitat mjekësore, një xhiro në ambientet e klubit dhe në qytet për t’u përshtatur e më pas firma në kontratë. Këto kanë qenë dy ditët e fundit të Angelo Ndreckës, mbrojtësit të talentuar shqiptar i cili i është bashkuar zyrtarisht skuadrës së Lacios që ka blerë kartonin e tij nga Kievo.

Futbollisti 17-vjeçar kishte spikatur me të rinjtë e Kievos në edicionin e kaluar dhe arriti të debutonte në Serinë A para mbylljes së edicionit, duke u bërë lojtari më i ri në moshë që luante në sezonin 2018-2019. Kjo ka shtyrë Igli Taren të hedhë sytë nga futbollisti dhe duke përfituar nga bisedimet me Kievon për transferimin e Sofian Kijine, ka ngulmuar dhe ka arritur edhe akordin për transferimin e mbrojtësit shqiptar. Zyrtarizimi ka ardhur sot nga vetë klubi italian, i cili bëri të ditur se kishte blerë përfundimisht kartonin e Ndreckës nga klubi i Kievos.

Ndrecka është bërë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, duke luajtur fillimisht me U19 e më pas edhe me ekipin U21, ndërsa ka luajtur edhe ndeshjen zyrtare ndaj Turqisë. /vipsport.al/