“Arrogantë, erdhën vetëm për para në Kinë”, akuzë e rëndë për Mançester Sitin nga agjencia shtetërore

Shtetit kinez nuk i ka pëlqyer sjellja e Mançester Sitit në turneun aziatik që kampionët e Anglisë zhvilluan në këtë vend. Skuadra e Guardiolës mori pjesë në Premier League Asian Trophy, një turne ku luanin kundër Uest Hem, Ullvërhempton dhe Njukasëll. Siti fitoi 4-1 ndaj Uest Hem e më pas u mund me penallti në finale ndaj Ullvërhempton, por nuk ishte paraqitja në fushë ajo që ka shqetësuar kinezët, ishte ajo jashtë saj.

Agjencia shtetërore e lajmeve kineze, “Xinhua”, publikoi një editorial shumë kritik ndaj Sitit dhe këtij udhëtimi në Kinë. “Dashuria e tifozëve kinezë për Mançester Sitin nuk ka gjetur përgjigje në territorin kinez”, titullohej artikulli. “Sjellja e Sitit në Kinë tregon që erdhën të motivuar me dëshirën për të fituar para, jo zemra. Për kampionët e Premier Ligës, prania në Kinë nuk ishte asgjë më shumë se një detyrim komercial dhe mungesa e entuziazmit që treguan me tifozët vendas është në kundërshtim të plotë me atë që bënë ekipe të tjera këtu.

Arroganca dhe mungesa e respektit të Sitit ndaj tifozëve kineze ishte e ndryshme nga ajo që bënë Ullvërhempton apo Njukasëll. Këto ekipe largohen nga Kina me tifozë të rinj dhe më shumë respekt, Siti largohet pa asgjë”, shkruante agjencia shtetëror e lajmeve në Kinë. /vipsport.al/