Alegri dhe viti pushim: Jam shkëputur, futbolli tani është vetëm llafe

Masimiliano Alegri ka vendosur që të qëndrojë një vit larg futbollit. Pas largimit nga Juventusi, jo rrallëherë ai është shfaqur në plazh përkrah partneres së tij, Ambra Anxhiolini, ndërsa konfirmon edhe vetë se për momentin i është përkushtuar totalisht pushimeve dhe nuk merret aspak me futboll.

“Tani jam ndalur, po bëj pak pushime. Pas 34 vitesh është hera e parë që ndalem dhe në fillim isha pak i shpërqendruar, por pastaj fillova të ambientohem dhe tani po i gëzohem qetësisë së detit”, tha Alegri para gazetarëve ndërsa merrte pjesë në një aktivitet në Livorno.

“Si është futbolli nga jashtë? Nuk kam parë asgjë deri tani, jam shkëputur plotësisht. Kur të rifillojë kampionati do të mund të fillohet të flitet për futbollin e vërtetë. Tani për tani janë vetëm llafe”, tha ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit. /vipsport.al/