Akademia Skënderbeu, fillon të qarkullojë emri i ri i klubit në Kategorinë e Tretë

Vendimi i KAS të Lozanës ndryshon plotësisht planet e Skënderbeut për të ardhmen. Tani duhet një projekt i ri i shtrirë në kohë, pasi aktualisht, motivimi për të qëndruar në Superiore është i vogël. Ndonëse është shumë herët për një vendim përfundimtar, po merr zë gjithnjë e më shumë një hipotezë e shkrirjes së klubit aktual, për të krijuar një të ri që e fillon nga e para në kategoritë e ulëta.

Kjo hipotezë ka qarkulluar prej kohësh, por në Korçë e refuzonin si mundësi. Situata mund të ndryshojë tashmë që vendimi i KAS zyrtarizon shumë vite pa Europën, që bën të pamundur qëndrimin e klubit korçar në elitë, pa një motivim apo mundësinë për të nxjerrë qoftë edhe shpenzimet minimale nëpërmjet pjesëmarrjes në Europë. Ndaj po mendohet zgjidhja që kanë gjetur klube të tjera në vende të ndryshme pas situatave kur janë përballur me vështirësi financiare.

Sipas “SuperSport” ekziston hipoteza e krijimit të klubit nga e para në Kategorinë e Tretë, duke e quajtur “Akademia Skënderbeu”, për të trashëguar një strukturë sportive që korçarët e kanë ngritur me shumë kujdes në dy vitet e fundit me futbollin e të rinjve, e njëkohësisht edhe një infrastrukture të gatshme për një klub që mund ta shihte shpejt veten në elitë.

Sigurisht, klubi i ri nuk duhet të trashëgojë as stemën, as emrin e as trofetë e Skënderbeut, duke i dhënë përfundimisht lamtumirën atij që bëri histori në Shqipëri e Europë në dekadën e fundit për arsye nga më të ndryshmet.

Njëkohësisht, në Korçë qarkullojnë prej kohësh zërat për investimin dhe transformimin e një prej klubeve “satelit”, Devollit dhe Maliqit, të cilët janë që tani të anëtarësuara në FSHF dhe do ta kishin më të lehtë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar me një financim më të përshtatshëm e një kontingjent më cilësor. Edhe në këtë rast, emri do të ndryshonte nga ai i ekzistues, për t;iu afruar sa më shumë atij të Skënderbeut aktual. /vipsport.al/