Adoleshenti kuqezi bind trajnerin e Veronës: Mund të luajë titullar në Serinë A

Marash Kumbulla mund ta shohë veten jashtë çdo parashikimi si një titullar në këtë sezon me skuadrën e Veronës në Serinë A, edhe pse deri tani 19-vjeçari ka luajtur vetëm një ndeshje zyrtare me klubin italian. “Paralajmërimin” e ka bërë trajneri Ivan Juriç, i cili në miqësoren e fundit të luajtur nga skuadra e tij në fazën përgatitore e aktivizoi futbollistin shqiptar për 90 minuta.

Kumbulla vlerësohet prej kohësh si një talent i madh dhe ndonëse nuk ka gjetur ende vend në përfaqësuesen Shpresa për të luajtur rregullisht, mund të kalojë direkt me Kombëtaren A pasi trajneri Edi Reja po e sheh me shumë interes. Vlerësimin më të mirë për të e ka dhënë vetë trajneri Juriç, i cili sot ka paralajmëruar se mund të bënte plane me futbollistin shqiptar për ta rreshtuar përkrah Rrahmanit në prapavijë.

I pyetur nëse kishte aktivizuar Kumbullën për të vlerësuar punë e bërë në akademinë e klubit, trajneri tregoi këndvështrimin e tij, “Jo, për mua është një futbollist si të gjithë të tjerët, nëse është në formë më të mirë se të tjerët, atëherë luan ai”, tha Juriç për mbrojtësin 19-vjeçar. /vipsport.al/