Absurditeti i UEFA-s, ndryshon mendje për trukimet në Belgjikë brenda 3 ditësh

UEFA ka bërë sot një tjetër nga bëmat e saj, duke ndryshuar brenda 3 ditësh një vendim që ishte marrë nga organet e saj juridike në lidhje me skandalin e trukimeve në Belgjikë. Më datë 15 korrik, UEFA doli me një qëndrim zyrtar duke pranuar klubin e Meshelen në fazën në grupe të Ligës së Europës pasi kishte fituar Kupën e Belgjikës.

Kjo, edhe pse klubi në fjalë kishte një dënim në fuqi nga organet e drejtësisë sportive belge për trukim ndeshjesh, pasi akuzohej se kishte manipuluar rezultatet e një sezoni më parë. Vendimi i UEFA-s bëri bujë duke llogaritur se vetëm pak ditë më parë kishte mbështetur fuqimisht luftën kundër trukimeve duke dënuar Skënderbeun.

Sot, UEFA ka bërë prapakthehu dhe me një vendim të paprecedent, ka anuluar atë që kishte dalë nga Komisioni i Apelit të saj për të lejuar Meshelen në Ligën e Europës. Me një komunikatë sot, ajo ka konfirmuar se pasi është njohur edhe njëherë me dokumentacionin nga Belgjika, i njëjti Komision Apeli kishte vendosur që të përjashtonte këtë skuadër nga faza në grupe e turneut për këtë edicion dhe do ta zëvendësonte me një tjetër.

“Komisioni i Apelit për këtë çështje ishte mjaftueshëm i bindur se zyrtarët e KV Meshelen e si rrjedhojë klubi, ishin të përfshirë në një tentativë për të manipuluar një ndeshje në rang kombëtar, dhe kjo situatë parashikohet në rregulloret e pjesëmarrjes në Ligën e Europës”, shkruhej në njoftimin e sotëm të UEFA-s i cili hidhte poshtë atë të tre ditëve më parë vetëm duke rilexuar edhe një herë të njëjtat dokumente. /vipsport.al/