Zyrtare/ Sarri ‘tradhton’ Napolin, Juventusi i beson timonin e skuadrës teknikut me tuta

Tashmë është zyrtare, Mauricio Sarri është trajneri i ri i Juventusit. Juventusi ka emëruar kështu pasardhësin e Masimiliano Alegrit duke i besuar 60-vjeçarit. Sarri ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, e cila do ta mbajë të lidhur me bardhezinjtë deri në 30 qershor të viti 2022.

Sarri vjen te ‘Zonja e Vjetër’ pas triumfit në Ligën e Europës me Çelsin, ndërsa tashmë teknikut toskan do t’i duhet të luftojë për objektiva madhorë si Champions League, teksa duhet të rikonfirmohet si kampion i Italisë.  Një nga arritjet më të mëdha në karrierë kjo për Sarrin, i cili mori famë te Empoli, për të drejtuar më pas Napolin ku rivalizoi me bardhezinjtë por pa mundur t’i mposhtte.

Vitin e kaluar mori drejtimin e Çelsit, por tekniku e vuajti distancën nga vendi i lindjes dhe vendosi të kthehej për të marrë timonin e Juventusit. Marrin kështu fund edhe aludimet që shikonin Guardiolën si teknikun e ri të Juventusit, ndërsa tashmë trajneri i ri dhe klubi do të fokusohen te merkato për të nisur një tjetër cikël fitues.

/Egi Çabeli-VipSport.al/