Zyrtare/ Presidenti i Bajernit mban fjalën dhe largon mesfushorin, tifozët dalin kundër klubit

Bajerni i Mynihut ka vendosur ta nisë merkaton e verës duke larguar futbollistë të cilët nuk shihen si pjesë e planeve për sezonin e ardhshëm dhe ashtu siç pritej, Hames Rodrigez është larguar nga bavarezët. Mesfushori kolumbian, kartonin e të cilit e ka Real Madridi, i ka dhënë lamtumirën bavarezëve për t’u rikthyer në Madrid.

Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi bavarez që ka falënderuar Hamesin duke i uruar fat të mirë në karrierën e tij. Mesfushori kolumbian, me shumë gjasa do të largohet edhe nga Madridi duke qenë se trajneri Zinedin Zidan nuk e sheh si pjesë të rëndësishme të skuadrës duke mos i premtuar asgjë për minutat në dispozicion.

Pak ditë më parë, presidenti i Bajernit u shpreh se nuk do të përfitonte nga Hames duke e blerë dhe për ta shitur më shtrenjtë pasi e konsideronte trafikim njerëzish dhe klubi bavarez është kundër kësaj ideje. Vendimi për ta larguar, ka bërë që shumë tifozë të reagojnë ashpër duke pranuar se Hames duhet të qëndronte. /Erjon Allaraj-VipSport.al/