Zyrtare/ Nuk kanë fund firot te Kukësi, largohet edhe Rexhinaldo

Fundi i sezonit ka sjellë edhe shumë largime te Kukësi ku të shumtë janë futbollistët të cilët kanë dorëzuar kërkesën për të shkëputur bashkëpunimin me klubin verilindor, gjë e bërë për të shmangur rinovimin automatik. Ditën e djeshme, Kukësi njoftoi se është larguar Irakli Dzaria ndërkohë që sot ka ardhur një tjetër largim.

Sulmuesi mozambikas Artur Rexhinaldo ka vendosur të largohet nga klubi verilindor pas një sezoni të suksesshëm ku fitoi Kupën e Shqipërisë dhe Këpucën e Artë. Vetë Rexhinaldo njoftoi ditën e djeshme largimin nga Kukësi ndërkohë që sot ka ardhur edhe zyrtarizimi nga klubi verilindor.  

Njoftimi i klubit:

“F.K Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me Reginaldo Artur Faite.

Sulmuesi, i ardhur te skuadra jonë gjatë merkatos së verës, arriti të shënonte 20 gola në 43 ndeshje, nga të cilat 13 gola në Kategorinë Superiore, 5 gola në Kupën e Shqipërisë si dhe dy gola në Turin e parë të Uefa Champions League.

Mozambikasi me skuadrën tonë arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë si dhe “Këpucën e artë’ me 13 golat e tij në Superligë.

Klubi falënderon Reginaldo Artur Fait për kontributin e dhënë në skuadrën tonë dhe i urojmë suksese në karrierë”, shkruhej në njoftimin e klubit verilindor. /Erjon Allaraj-VipSport.al/