Zyrtare/ Një tjetër futbollist largohet nga Superiorja, Mezani merr titullarin e Luftëtarit

Merkatoja e verës ka nisur shumë aktive në Kosovë ku shumë skuadra kanë nisur përforcimet e verës. Skuadra e Gjilanit është ajo që pak ditë më parë largoi thuajse gjysmën e skuadrës ndërkohë që sot ka ardhur një zyrtarizim jo pak i bujshëm në Kosovë.

Ish-mbrojtësi i Luftëtarit, Xhekson Ferreira ka firmosur zyrtarisht me Gjilanin, skuadër që drejtohet nga Gentian Mezani. Mbrojtësit të Luftëtarit i ka përfunduar kontrata vetëm ditën e djeshme dhe pak minuta më parë ka firmosur në Ipko-Superligën e Kosovës.

Braziliani Xhekson i bashkohet në këtë mënyrë ish-trajnerit Gentian Mezani me të cilin kishte mundësi të punonte për disa javë te Luftëtari para se drejtimin e skuadrës ta merrte Ahmataj. Kujtojmë që Xhekson ishte një nga të përjashtuarit e Luftëtarit pak ditë para se të mbyllej kampionati, megjithëse ka qenë ndër më të dalluarit në fushën e blertë.

“SC Gjilani ka arritur marrëveshje me futbollistin brazilian Jacskon Ferriera për të qenë pjesë e klubit për edicionin e ardhshëm.

Ferriera, i cili luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë edicionin e kaluar ishte pjesë e FC Luftëtarit në Kategorinë Superiore, derisa në të kaluarën ishte pjesë e shumë klubeve të njohura në Brazil dhe Greqi.

SC Gjilani njofton se gjatë ditëve në vijim do të ketë shumë risi në afatin kalimtar të verës dhe në ardhjet e reja”, shkruhej në njoftimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/