Ylli i Realit i bindur: Me Mbapen flas shpesh në “Instagram”, vjen së shpejti te Reali

Real Madridi duket se nuk do t’i lërë më asgjë rastësisë dhe në merkaton e verës synon që të ndërtojë një skuadër të madhe dhe të arrijë të fitojë sërish si në Spanjë, ashtu edhe në Europë. Afrimet e bujshme të bëra deri më tani, duket se janë vetëm fillimi dhe pritet të ketë edhe të tjera.

Ylli i Realit, sulmuesi Vinisius Zhunior është i bindur se te madrilenët do të vijë edhe sulmuesi francez, Kilian Mbape që po shkëlqen në Francë me PSG-në. Në një intervistë të dhënë për “Telefoot”, ai u shpreh se me Mbapen, mund të fitojnë gjëra të mëdha.

“Në një kohë të shkurtër, mendoj se Mbape do të vijë. Natyrisht që ëndrra e tifozëve të Realit është që të vijë Mbape dhe të gjithë e duan këtu kështu që mendoj se shumë shpejt do të jetë këtu. Nuk kam dyshime se së bashku do të fitojmë dhe do të arrijmë gjëra të mëdha. Nuk e njoh personalisht por kemi biseduar disa herë në ‘Instagram’”, u shpreh Vinisius. /Erjon Allaraj-VipSport.al/