Ylber Ramadani kërkon falje: Më besoni që nuk kontrollova dot emocionet, asnjë qëllim të keq

Ylber Ramadani arriti të shënonte një gol mjaft të bukur në ndeshjen ndaj Moldavisë duke gjetur cepin e portës me një goditje nga jashtë zone. Ky ishte goli i parë në karrierë me fanellën e Kombëtares dhe në momentin e festës, Ramadani hoqi fanellën kuqezi dhe e shkelmoi, festë kjo që solli jo pak reagime te tifozët.

Shumë prej tyre pretendojnë se ky veprim nuk mund të pranohet pasi ka ofenduar ngjyrat e flamurit dhe vetë fanellën, ndërkohë që vetë Ramadani e ka pranuar se ishte një festë e momentit dhe shton se ishte veprim i papërgjegjshëm. Në një postim në “Instagram”, Ramadani ka kërkuar falje publike për festën duke u shprehur se nuk kishte asnjë qëllim të keq.

“Përshëndetje miq. Ju falënderoj të gjithëve për komentet pozitive dhe ato negative sa i përket çështjes së bluzës. Ju kërkoj shumë ndjesë për hedhjen e bluzës, me të vërtetë një gjest i papranueshëm por më besoni që ndodhi si pasojë e mos kontrollimit të emocioneve dhe nuk kisha asnjë qëllim të keq. Ju kërkoj shumë ndjesë. Zoti iu bekoftë të gjithëve”, shkruhej në postimin e Ramadanit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories