Xhixhi Bufon i jep lamtumirën Parisit, merr ofertat e para nga klube të tjera europiane

Nuk është një lamtumirë nga futbolli, por portieri i njohur italian, Xhanluixhi Bufon, nuk do të vazhdojë të luajë për PSG-në. Pas një sezoni në kryeqytetin francez, mbyllet aventura e portierit italian, që nuk ka rinovuar me klubin e emirit të Katarit.

Një vendim i marrë me qetësi nga Bufon, pas takimit të djeshëm. Portieri 41-vjeçar do të hapë tashmë një kapitull të ri në karrierën e tij të pafundme. Bufon u shpall kampion në Francë me PSG-në, me 17 ndeshje të luajtura në Ligue 1, ku pësoi 18 gola.

Më shumë Bufon i ka shërbyer skuadrës në Champions League me përvojën e tij. Në fazën me kualifikim të Championsit, trajneri Tuhel i besoi Bufonit, për t’i dhënë më shumë siguri ekipit në prapavijë. Bufon gaboi në ndeshjen me Mançester Junajtid dhe PSG-ja u skualifikua.

Trajneri gjerman i PSG-së kishte vendosur në fund të sezonit që shkoi që në të ardhmen të mos ketë më “turnover” në portë. Bufon është i vendosur të vazhdojë të luajë dhe ofertat e para për të kanë ardhur nga disa klube europiane, por emrat nuk bëhen të ditur për momentin. / Vipsport.al