Vjen firma që pritej prej 6 muajsh, Durmishaj tani është zyrtarisht i Olimpiakos

Fjorin Durmishaj do të vazhdojë karrierën e tij te klubi i Olimpiakos dhe tashmë çdo gjë është zyrtare. Zërat e merkatos që e shihnin prej muajsh atë t’i bashkohej skuadrës së Athinës ku pritet të transformohet në një nga sulmuesit më të njohur në Greqi, janë zyrtarizuar sot me njoftimin e klubit të njohur grek.

Lojtari shqiptar i cili zgjidhi t’i bashkohej Greqisë pas eksperiencës së tij me Shpresat kuqezi, shkëlqeu në edicionet e fundit me fanellën e Panionios dhe kishte tërhequr vëmendjen e klubeve të ndryshme edhe në arenën ndërkombëtare me oferta që kishin mbërritur nga Kroacia e Holanda. Por lojtari kishte gjetur akordin me Olimpiakos që në janar dhe thjesht priti mbylljen e sezonit për të zyrtarizuar gjithçka.

Sot, klubi i Olimpiakos nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se Durmishaj ishte blerja më e re dhe se do t’i bashkohej ekipit të Pireut në përgatitjet për sezonin e ri. Mbetet të mësohet kohëzgjatja e kontratës që lidh Durmishajn me këtë klub si dhe roli që do të ketë në skuadër ku në fillim askush nuk pret që ai të jetë titullar. /vipsport.al/