Vizitat mjekësore e firma, Kukësi zyrtarizon mesfushorin por nuk zë mend nga sezoni i fundit

Kukësi ka nisur merkaton e verës dhe vetëm pak ditë më parë njoftoi se është arritur akordi me mesfushorin Emiliano Musta që së fundmi u aktivizua në kampionat me Flamurtarin. Ditën e sotme, mesfushori Musta ka kryer vizitat mjekësore duke u prezantuar edhe zyrtarisht si futbollisti më i ri i nënkampionëve.

Musta ka firmosur me Kukësin një kontratë njëvjeçare, kontratë e cila e mban të lidhur me verilindorët deri në fundin e sezonit të ardhshëm. Mesfushori që kërkohej me ngulm nga Kukësi që verën e kaluar, vetëm këto ditë ka arritur të bindet nga oferta e verilindorëve dhe ka nënshkruar.

Ajo që bie në sy, lidhet me faktin se edhe Mustës i është ofruar një kontratë deri në fund të sezonit duke bërë që në fund të sezonit të ketë sërish lëvizje. Kujtojmë që këtë sezon, u larguan futbollistët më në formë si Uilliam Kordeiro e Rexhinaldo për shkak se u kishte përfunduar kontrata ndërkohë që larg duket edhe sulmuesi Roxher. /Erjon Allaraj-VipSport.al/