Videomesazhi emocionues nga miku i vjetër, Kavani shpërthen në lot dhe ndërpret intervistën

Edison Kavani ka qenë së fundi protagonist i një episodi emocionues. Sulmuesi i PSG-së, gjatë një interviste për programin “La Caja Negra” të “TV Ciudad”, nuk është përmbajtur dot pas një videomesazhi nga një mik i ngushtë dhe ka kërkuar që të ndërpritet për pak çaste transmetimi.

“El Matador” ndodhet në Montevideo, pasi po përgatitet me Uruguain e tij për Kupën e Amerikës. Gjatë një interviste atij i është treguar një videomesazh i Gogo Feris, një mik i vjetër i ngushtë i sulmuesit, i cili i drejtohej me këto fjalë:

“Tullac (nofka e Kavanit), më kërkuan të të përshëndes dhe po të uroj fat në Kupën e Amerikës. Nuk do të kishte vend më të mirë se ky, selia e Nacionalit. Lagjja jonë, ku ti veshe fanellën trengjyrëshe. Ajo që dua të them është se të gjithë e kemi si shembull imazhin tënd. Kur zbret në fushë me Uruguain, ke një gusht të mbyllur, zemrën e hapur dhe dhëmbët të shtrënguar. Në jetë je po ai që shohim në fushë, me ndryshimin se duart i ke të hapura, zemrën të madhe dhe gjithmonë gati të ndihmosh, kurse dhëmbët nuk i ke të shtrënguar. Ke një buzëqeshje përpara çdo fëmije që vjen të kërkon një autograf apo një foto.

Je gjithmonë i disponueshëm dhe kjo të bën një person të jashtëzakonshëm. Je një baba i shkëlqyer dhe një lojtar i shkëlqyer, që ka arritur nivele të larta. Të kemi si shembull, sepse je një person i zoti, një mik i madh”.

Reagimi i Kavanit ka qenë i papritur edhe për intervistuesin, i cili vendosi të ndërpriste për pak minuta bisedën me sulmuesin, i cili më pas u shpreh: “Më falni… E njoh shumë mirë, është mik i familjes dhe ajo që tha më mallëngjeu. Për këtë ndihem i emocionuar. Më njeh që kur kam lindur dhe më ka parë si jam rritur, e ka ndihmuar gjithmonë familjen time”. / Vipsport.al